Zëdhënësja e fushatës së Visar Ademit, Fjolla Jakupi Osmani, mbajti një konferencë për shtyp para objektit të Njësisë së Zjarrfikësve në Gostivar, ku prezantoi gjendjen alarmante në të cilën punojnë zjarrfikësit e qytetit.
“Zjarrfikësit, ndonëse janë heronjtë e përditshëm të Gostivarit, trajtohen si punëtorë të dorës së dytë: me paga qesharake, kushte çnjerëzore pune, mjete dhe automjete të amortizuara, pa sigurim shëndetësor për disa prej tyre dhe me një objekt të padenjë për misionin e tyre fisnik,” tha Jakupi. Ajo e cilësoi këtë diskriminim si “padrejtësi e papranueshme dhe krim institucional”.
Më tej, Jakupi prezantoi planin e Visar Ademit për përmirësimin e gjendjes:
- Barazim i pagave sipas standardeve ligjore
- Sigurim shëndetësor për çdo zjarrfikës
- Automjete dhe pajisje moderne
- Uniforma të reja çdo vit
- Renovim i plotë i objektit
- Instalim i sensorëve për zbulimin e hershëm të zjarrit në të gjitha institucionet publike
“Zjarrfikësit e Gostivarit nuk do të jenë më viktima të paaftësisë dhe manipulimeve politike. Ata do të kenë dinjitet, kushte të përshtatshme pune dhe paga të drejta,” tha Jakupi.
Plani do të realizohet përmes shkarkimit të drejtorëve partiakë, uljes për gjysmë të administratës joproduktive dhe ridestinimit të buxhetit drejt shërbimeve esenciale për qytetarët, duke përfshirë zjarrfikësit, pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.