Valë largimesh nga BESA, LD dhe Alternativa – VLEN përballet me sfidën më të madhe para zgjedhjeve

Marketing Politik

Koalicioni VLEN po përballet me një seri dorëheqjesh, distancimesh dhe pakënaqësish publike në disa prej partive përbërëse, duke thelluar perceptimin e një krize të brendshme serioze në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. Largimet vijnë si nga baza, ashtu edhe nga figura themeluese e drejtues partiakë.

Nga radhët e Lëvizjes BESA, aktivisti Lavdrim Ismaili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet, përfshirë edhe postin e kryetarit të Forumit Rinor në Përshëfc. Po ashtu, edhe Besa Kadriu është larguar nga të gjitha organet e partisë.

Në Tearcë, kryetari i nëndegës, Muhamer Isaku, i’u bashkua Aleancës për Shqiptarët dhe koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), duke shpallur përkrahjen për kandidaturën e Nazim Taipit për kryetar komune.

Në Lëvizjen Demokratike, themeluesi dhe anëtari i Kryesisë Qendrore, Naim Salihu, shpalli dorëheqjen dhe rikthimin në BDI, duke akuzuar partinë për “degradim të plotë” pas hyrjes në qeveri me VMRO-DPMNE.
Pakënaqësitë u pasuan nga kritika publike e Bashkim Saitit nga Kumanova për mungesën e strukturave funksionale, ndërsa themeluesi Muhamet Ameti paralajmëroi se ky mund të jetë “përvjetori i fundit pa llogaridhënie”. Mesazhi i tij u mbështet edhe nga Fejzulla Kovaçi, kushëri i vetë liderit Mexhiti.
Kriza u shfaq edhe në Studeniçan, ku Emir Ismaili dhe 33 aktivistë të nëndegës së Batincës kundërshtuan publikisht kandidatin e propozuar nga VLEN për kryetar komune, duke e cilësuar “anonim” dhe “të imponuar”.

As qetësi nuk ka pasur në partinë AlternativaSabar Mustafa, kryetar i nëndegës në Luboten, bashkë me strukturën e tij, shpalli largimin nga Alternativa dhe VLEN.

Në Kumanovë, funksionari i njohur Mesut Bajrami shpalli kandidaturën e tij të pavarur për këshilltar komunal, duke u shkëputur nga partia.

Ndërkohë, në Çair, ish-drejtori i Punës dhe Politikës Sociale, Hamza Ameti, kuadër i Alternativës, u shkarkua dhe reagoi me kritika për organizimin e VLEN-it. Përkrahje për të dha edhe funksionari tjetër i Alternativës, Faton Fazliu.

Nga Çairi, Fitore Qerezi, një nga themelueset e vetë koalicionit VLEN, shpalli dorëheqjen nga të gjitha pozitat, duke shprehur zhgënjim për mungesën e përkrahjes së brendshme.

Në pak ditë, Lëvizja BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa – tre shtylla të koalicionit VLEN – kanë humbur aktivistë e figura themeluese, ndërsa brenda radhëve po rriten kritikat për mungesën e strukturave, drejtimit të qartë dhe vendimeve të imponuara.

Edhe Nafie Selmani, aktiviste dhe ish-mbështetëse e koalicionit VLEN, ka dalë me një reagim të ashpër publik, duke e cilësuar këtë formacion politik si “një shpresë të humbur” dhe “një zhgënjim të thellë” për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Valët e dorëheqjeve dhe përçarjeve po e forcojnë perceptimin e një krize të thellë politike në VLEN, me pasoja të mundshme në rezultatin e zgjedhjeve lokale të tetorit, ku uniteti dhe konsolidimi i brendshëm do të jenë vendimtarë. Flaka Media