Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, partitë shqiptare në Gostivar kanë shpallur bartësit e listave për Këshillin Komunal, shkruan Flaka Media.
Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë zyrtarizuar Valdet Xhaferin si bartës liste për këshilltarë. Në një reagim publik, Xhaferi theksoi:
“Kryetari z. Ali Ahmeti dhe Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së vendosën që të jem bartës i listës për Komunën e Gostivarit në sfidën e radhës për zgjedhjet lokale të tetorit! Na priftë e mbara në këtë betejë, e cila është më e madhe se një përballje zgjedhore, bashkë e marrim këtë përgjegjësi për Misionin që kemi përpara. Bashkë drejt referendumit, na priftë e mbara! Dalshim faqebardhë.”
Nga radhët e VLEN-it, sot ka njoftuar Bashkim Hasani, i cili përmes një postimi falënderoi strukturat për besimin:
“Mirënjohës për besimin e strukturave dhe udhëheqësisë së VLEN-it që ma besuan kryesimin e listës së këshilltarëve në zgjedhjet lokale në Komunën e Gostivarit. Së bashku me kandidatin për kryetar komune, z. Sebaedin Dauti, dhe me strukturat e VLEN-it, duke kërkuar përkrahjen e qytetarëve, do t’i japim fund 8 viteve stagnim dhe keqqeverisje të pushtetit aktual lokal. Me mbështetjen e qytetarëve, ndryshimi i shumëpritur do të bëhet realitet, sepse Gostivari meriton më shumë!”
Ndërkohë, nga kampi i kandidatit të pavarur për kryetar komune, Visar Ademi, burime i thanë Flakës se aktualisht nuk planifikojnë të nxjerrin listë të këshilltarëve, me arsyetimin që të mos shpërndahen votat shqiptare në Këshillin Komunal. Zyrtarisht, ata paralajmërojnë qëndrimin e tyre për ditën e premte.
Në zgjedhjet e ardhshme lokale në Gostivar, garojnë:
- Valbon Limani nga Aleanca Kombëtare për Integrim
- Sebaedin Dauti nga VLEN
- Visar Ademi si kandidat i pavarur