Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për emisionin Debat Arb në Tv Arbëria, ka zbuluar planin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Taravari theksoi se përmes kandidaturave të pavarura dhe marrëveshjes me VLEN-in, Mickoski synon një “kthesë të madhe” në komunat me shumicë shqiptare, raporton Flaka Media.
Tre pikat e strategjisë sipas Taravarit
Sipas tij, plani i Mickoskit bazohet në tre kushte kryesore:
- Kryesuesit e Këshillave Komunale të jenë kuadro të VMRO-DPMNE-së.
- Sekretarët e komunave të jenë maqedonas.
- Një nga ndërmarrjet komunale më të fuqishme në çdo komunë shqiptare të drejtohet nga kuadro të partisë së tij.
“Mbledhjet të drejtohen në maqedonisht”
“Mickoski u thotë: unë u përkrah në komunat urbane ku ka maqedonas, por me kusht që kryetari i këshillit të jetë maqedonas – njësaj sikurse kryetari i parlamentit është shqiptar, sekretari i komunës të jetë maqedonas dhe drejtori i një ndërmarrjeje publike në atë komunë të jetë maqedonas. Ku është ideja? Mbledhjet e Këshillit Komunal në Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, që nga viti 1975 janë drejtuar në gjuhën shqipe. Tani, në vitin 2025, ne po lejojmë që ato të drejtohen në maqedonisht,” deklaroi Taravari.
Kryetari i komunës, figurë formale
Taravari paralajmëroi se ky plan do të dobësonte ndjeshëm pozitën e shqiptarëve në pushtetin lokal, duke e reduktuar kryetarin shqiptar të komunës në një figurë formale.
“Kryetari i komunës do të mbetej vetëm një kukull, njësoj siç janë ministrat shqiptarë në Qeveri,” theksoi ai.
Marrëveshja që “ra në ujë”
Sipas Taravarit, ky plan nuk u realizua, pasi Aleanca për Shqiptarët u tërhoq nga marrëveshja.
“Ishte një marrëveshje që duhej të implementohej, por fatmirësisht, me largimin e Aleancës për Shqiptarët, që kishte peshën 3 me 1 krahasuar me partitë e tjera të VLEN-it, kjo marrëveshje e Mickoskit ra në ujë,” tha ai.