KSHPK publikon udhëzimet: Ja çfarë ndalohet para dhe gjatë fushatës zgjedhore

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka publikuar udhëzimet e detajuara për institucionet shtetërore, partitë politike dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke theksuar se qëllimi është “informimi i tyre në kohë dhe në mënyrë transparente” mbi atë që nuk lejohet para dhe gjatë fushatës.

Sipas KSHPK-së, ndalimet përfshijnë:

  • Investime dhe pagesa të jashtëzakonshme
    “Nuk mund të fillojë ndërtimi me mjete të Buxhetit ose nga fondet publike… përveç nëse mjetet janë siguruar paraprakisht dhe bëhet fjalë për realizimin e një programi të miratuar,” thuhet në komunikatë.
    Gjithashtu, ndalohet pagesa e pagave, pensioneve, ndihmës sociale ose kompensimeve materiale jashtë pagesave të rregullta mujore.
  • Punësime dhe ndërprerje marrëdhëniesh pune
    “Nuk mund të fillohet procedurë për punësimin e personave të rinj ose për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në institucionet shtetërore ose publike… përveç rasteve të çështjeve urgjente,” sqaron KSHPK.
  • Financim i paligjshëm ose anonim
    “Partia politike ose kandidati në zgjedhje nuk mund të mbledhin ose të përdorin mjete në mënyrë të paligjshme ose nga burime anonime,” thekson komunikata.
  • Përdorim i pasurisë shtetërore për fushatë
    Ndalohet përdorimi i pronës, mjeteve, pajisjeve apo automjeteve zyrtare të institucioneve publike për veprimtari politike ose fushatë.
  • Ryshfet zgjedhor dhe presion ndaj votuesve
    “Ndalohet dhënia ose premtimi i një dhurate ose përfitimi tjetër… që një votues të votojë ose të mos votojë për një kandidat të caktuar.”
    Po ashtu, ndalohet “çdo formë presioni dhe frikësimi të votuesve ose të afërmve të tyre.”
  • Ngjarje publike për projekte
    Në 20 ditët para fushatës e deri në konstituimin e këshillave komunalë, ndalohet mbajtja e ngjarjeve publike për fillimin ose inaugurimin e objekteve të financuara nga buxheti ose kapitali shtetëror.
  • Transparencë financiare
    “Ministria e Financave është e detyruar të publikojë të gjitha pagesat buxhetore… dhe të paraqesë raport financiar parazgjedhor,” thuhet në komunikatë.

KSHPK thekson se gjatë kësaj periudhe nuk do të japë mendime mbi kërkesat që lidhen me mënyrën e veprimit të institucioneve publike, por do të ndjekë të gjithë procesin zgjedhor dhe do të bashkëpunojë me mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët për të raportuar çdo shkelje.

“E inkurajojmë publikun që me kohë të raportojë rastet e shkeljes së ndalesave,” përfundon komunikata e Komisionit. Gostivari Sot

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori