Sot, më 11 gusht 2025, në zyrat e Muftinisë së BFI – Gostivar, u nënshkrua në mënyrë solemne kontrata për një vakuf të ri në qytetin e Gostivarit, njofton Gostivari Sot
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Këshilli Iniciativ nga Esnafi Rom në Gostivar, Muftiu i Muftinisë së BFI – Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, së bashku me stafin e tij, si dhe shitësi i pronës, H. Jusuf Xhelili. “Që nga sot, kjo pronë private bëhet pronë e të gjithë besimtarëve të këtij nënqielli,” u theksua gjatë nënshkrimit.

Gjatë bisedave, u kujtua se nisma për këtë projekt ka filluar para më shumë se shtatë vitesh, me angazhimin e Reisul Ulemasë së BFI në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, atëkohë Mufti i Gostivarit. “Çdo mund, përpjekje dhe angazhim i tyre sot u kurorëzua me sukses,” u tha në ceremoni.
Muftiu Zendeli e cilësoi këtë vakuf si “një bazë të fortë dhe një gur të çmuar në përparimin e jetës fetare, në kultivimin e sjelljes së mirë dhe në dëshmimin e vetëflijimit të jashtëzakonshëm të atyre njerëzve që ndanë nga pasuria e tyre vetëm për hir të Allahut xh.sh. dhe nga dashuria për atdheun.”
Në fund, Muftinia e BFI – Gostivar shprehu “mirënjohje të thellë Reisul Ulemasë, Këshillit Iniciativ, EGRZ-së, Esnafit të Gostivarit, personave juridikë dhe të gjithë njerëzve humanë, qofshin gjallë apo të ndarë nga kjo botë”, duke theksuar se “562 m² janë shënuar në librin e përhershëm të veprave të mira, në këtë dhe në botën tjetër.” Gostivari Sot
