Komuna e Gostivarit ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson vetë, një informacioni “tendencioz dhe të pavërtetë” që po qarkullon ditëve të fundit në opinionin publik, lidhur me numrin e ndërtimeve pa leje në territorin e saj.
Në një kumtesë zyrtare, Komuna sqaron se të dhënat që po përmenden nuk kanë të bëjnë me ndërtime pa leje, por me objekte të legalizuara në përputhje me Ligjin për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
“Këto janë dy kategori të ndryshme juridike dhe teknike, dhe përzierja e tyre në komunikim publik përbën ose joprofesionalizëm, ose keqinformim të qëllimshëm”, thuhet në reagim.
Komuna thekson gjithashtu se është njëra nga komunat më transparente dhe aktive në lëshimin e lejeve të ndërtimit, duke përmendur të dhëna zyrtare si dëshmi për këtë.
“Nga viti 2018 deri në vitin 2025, Inspektorati i Ndërtimtarisë ka vepruar ndaj gjithsej 112 objekteve të ndërtuara pa leje, përfshirë 58 shtëpi individuale, 25 mbindërtime apo shtojca dhe 29 mure rrethues oborri,” theksohet në kumtesë.
Komuna i bën thirrje mediave dhe institucioneve që të bazohen vetëm në informata të sakta dhe të verifikuara.
“Përhapja e të pavërtetave nuk i shërben interesit publik dhe vetëm sa dëmton punën e institucioneve lokale dhe krijon konfuzion te qytetarët,” thuhet më tej.
Në përfundim, Komuna e Gostivarit paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore për shpifje ndaj drejtuesve të institucionit që kanë publikuar këto të dhëna të pavërteta dhe ndaj mediave që i kanë shpërndarë pa verifikim.
“Nuk do të lejojmë që puna e administratës komunale të përdhoset me informata të pasakta, aq më pak për qëllime të ulëta politike. Mbrojtja e të vërtetës dhe e transparencës është obligim ndaj qytetarëve tanë,” përfundon kumtesa.