Policia e Gostivarit me drejtues të ri – Përkushtim për ligj, rend dhe afërsi me qytetarët

Me një postim në rrjetet sociale të shpërndarë sot, Shaban Sallmani ka bërë të ditur se ka marrë detyrën e re si Kryeshef i Departamentit për Punë të Brendshme në Gostivar, njofton Flaka. Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, kolegëve dhe miqve, Sallmani ka theksuar ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkushtimit me të cilën e merr këtë detyrë të rëndësishme për sigurinë publike dhe mirëqenien e komunitetit.

“Është një nder dhe privilegj të udhëheq një institucion kaq të rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” është shprehur ai, duke theksuar përkushtimin e tij për forcimin e rendit dhe ligjit, ndërtimin e besimit mes policisë dhe komunitetit, dhe garantimin e mbrojtjes dhe respektimit të çdo qytetari.

Sallmani ka premtuar transparencë, profesionalizëm dhe integritet gjatë ushtrimit të detyrës, duke nënvizuar se vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë mund të ndërtohet një polici më e fortë dhe më afër qytetarit.

Shaban Sallmani, me një karrierë mbi 20-vjeçare në sektorin e sigurisë, ka ushtruar funksione kyçe në kuadër të MPB-së, përfshirë rolin e inspektorit të lartë për krimin e organizuar dhe udhëheqës të disa sektorëve të rëndësishëm. Ai është trajner i certifikuar për zyrtarë policorë dhe ka marrë pjesë në trajnime profesionale brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe ato të organizuara nga DEA amerikane.

Emërimi i Shaban Sallmanit në këtë post vjen në një kohë kur qytetarët kërkojnë institucione më të përgjegjshme dhe një angazhim të shtuar në drejtim të sigurisë publike dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së Abdil Bilallit, i cili lëshoi funksionin pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për dalje nga qeveria. Flaka

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori