Dështoi ndryshimi? Taravari: Ky nuk është ndryshimi që e kemi premtuar

Nga Negotina, ku u shpall kandidatura e Isen Shabanit për një mandat të tretë si kryetar komune, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka paralajmëruar largimin e mundshëm të partisë nga qeveria, shkruan Gostivari Sot

Sipas tij, vendimi pritet të formalizohet nesër ose pasnesër në organet e partisë, ndërsa arsyeja kryesore mbetet, siç tha ai, “nënçmimi dhe margjinalizimi i shqiptarëve”, si dhe devijimi i qeverisë nga rruga drejt Bashkimit Evropian.

“Fatkeqësisht, ndryshimi për të cilin kërkuam mbështetje vitin e kaluar nuk është ai që e kanë pritur shqiptarët. Premtuam decentralizim, ndërsa sot përballemi me një ligj që sjell centralizim edhe më të theksuar,” u shpreh Taravari.

Ai kritikoi ashpër gjendjen në administratën shtetërore, duke thënë se ekziston një tendencë e vazhdueshme për ta margjinalizuar komunitetin shqiptar në pozita kyçe.

“Aleanca për Shqiptarët nuk do të pranojë të luajë rolin e kukullës në qeveri. O jemi pjesë e barabartë dhe me dinjitet, ose më mirë të mos jemi fare. Largimi ynë është kthim drejt popullit dhe përgatitje për një rikthim më të fortë në pushtetin lokal dhe më pas në atë qendror,” theksoi ai, transmeton Gostivari Sot.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori