Gostivar, 9 maj 2025 – Atmosfera në Gostivar po ndizet për një nga ndeshjet më vendimtare në historinë e klubit futbollistik KF Arsimi Çegran, që të shtunën më 10 maj, në ora 17:00, do të përballet për një vend në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.
Përkrahja për ekipin verdhë e zi ka marrë përmasa qytetare, me thirrje të fuqishme nga përfaqësues lokalë, për të mobilizuar tifozët dhe qytetarët.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, u shpreh:
“Nesër të gjithë në Stadiumin e qytetit në Gostivar, le të mbushim çdo ulëse në stadium, le të rrahin zemrat sikur një, dhe le të ushtojë fortë zëri jonë! Të bëhemi lojtari i 12-të i ekipit, le të japim gjithçka për Arsimin! KF Arsimi luan për histori, luan për Ligën e Parë!”
Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi, gjithashtu ka dërguar një mesazh të fuqishëm:
“Nesër, më 10 maj 2025, ora 17:00, djemtë tanë verdhë e zi dalin në fushë për të lënë gjithçka në lojë! KF Arsimi Çegran duhet të fitojë për të siguruar biletën për në Ligën e Parë, dhe ne e dimë se ata kanë pasionin, aftësinë dhe zemrën për ta bërë këtë. Kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli – është momenti ynë për të treguar se çfarë do të thotë në të vërtetë krenaria e Çegranit dhe Gostivarit.”
Ndeshja zhvillohet në Stadiumin e qytetit në Gostivar, me fillim në ora 17:00.