Sot kaloi në përjetësi Safije Dehari, gruaja model frymëzues e femrës shqiptare në Gostivar dhe më gjërë.
“Kaloi në amshim spikerja e parë shqiptare e Radio Gostivarit, zëri i qytetit “Ju flet Radio Gostivari” moderatorja e mrekullueshme e koncerteve të SHKA “Besa”, e festivaleve dhe manifestimeve kulturore dhe jo kaq”, kujton kolegu nga ish Radio Gostivari, Gajur Ramadani.
Safije Dehari për dekada me radhë ishte anëtarja e palodhur e Besës, shoqëruesja e bashkëshortit të saj, solistit Maksut Dehari, Kryetarja e Lidhjes së Gruas shqiptare në Maqedoni, organizatorja e palodhëshme e manifestimeve “Kuzhinierja shqiptare”, festave të 8 Marsit, Dita e mësuesit dhe shumë manifestime tjera kulturore.
“Kisha fatin të punoj me Safije Deharin për 17 vite në “Radio Gostivar” ku e njoha gruan e fortë shqiptare, spikeren, gazetaren, punëtoren dhe patrioten e palodhëshme.
I qoftë dheu i lehtë dhe u prehtë në parajsë shpirti i ndritur”, shprehet Ramadani. Gostivari Sot