Sot realizova një takim me bujqit e Çegranit të Komunës së Gostivarit dhe me përfaqësuesit e bashkësisë lokale, ku diskutuam për sfidat aktuale me të cilat përballen bujqit, si dhe mundësitë për përmirësimin e kushteve të tyre të punës në përditshmëri, kumtoi zëvendësministri Flakron Bexheti.
Bexheti njoftoi që gjatë takimit, bujqit ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre, duke theksuar nevojën për mbështetje më të madhe dhe zgjidhje të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballen.
“U dëgjuan me vëmendje propozimet e tyre, me synimin për të gjetur zgjidhje konkrete dhe efektive që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit bujqësor. Në këtë drejtim, u shpreh nevoja për riaktivizimin e sistemit të ujitjes dhe kanalit të ujitjes në fshatin Çegran nga lumi Vardar. Po ashtu, u diskutua edhe për domosdoshmërinë e riparimit dhe asfaltimit të rrugës rurale që lidh fshatin Çegran me fushat e banorëve, si një investim kyç për lehtësimin e qasjes dhe përmirësimin e kushteve të punës për bujqit”, shtoi Bexheti.
Ky takim, tha Bexheti, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të hapur dhe për të krijuar politika bujqësore që reflektojnë nevojat reale të fermerëve tanë.
Për Bexhetin, sa më afër me bujqit, mund të jetë aq më afër zgjidhjeve. Gostivari Sot