U promovua libri “I huaj në vend të huaj dhe në vendin tim…!?” të autorit Lirim Begzati

“I huaj në vend të huaj dhe në vendin tim”, quhet libri më i ri i autorit gostivaras, Lirim Begzai që u promovua gjatë të premtes në Pallatin për Kulturë në Gostivar, shkruan Gostivari Sot.

Në prani të shumë qytetarëve të Gostivarit, përfaqësuesve të jetës politike, Muftinisë së Gostivarit, mërgimtarëve, miqve e familjarëve të autorit, nga autori dhe kritikën letrar u zbërthye përmbajtja e librit që shtjellon jetën jashtë vendlindjes dhe mallin për shtëpinë e të parëve.

Libri “I Huaj në Vend të Huaj dhe në Vendin Tim” trajton tema universale të identitetit, përkatësisë dhe sfidave të jetës në mërgim, duke prekur zemrat e lexuesve me mesazhet e tij të fuqishme dhe përshkrimet e ndjera. Ngjarja shërbeu jo vetëm si një moment për të prezantuar krijimtarinë e autorit, por edhe për të ndarë reflektime dhe mendime mbi temat që libri trajton.

Të pranishmit, përfshirë personalitetet e ftuara dhe audiencën, e vlerësuan lart kontributin letrar të Lirim Begzatit, duke theksuar rëndësinë e një literature që i flet si shpirtit të mërgimtarëve ashtu edhe atyre që përpiqen të kuptojnë këtë përvojë unike.

“Një vepër madhështore që secili nga ju vlen që ta lexoni e sidomos rinia jonë në mërgim”, thotë artistja Vjollca Baftjari Zylbeari. Vlerësim mbi librin bëri edhe profesori Shpend Bajrami.

Juristi i mirënjohur shqiptaro-zviceran Lirim Begzati është kandidat për zgjedhjet komunale në qytetin Neuchatel, ku jeton e vepron me dekada të tëra. Angazhimi i tij për komunitetin është pjesë e një vazhdimi logjik të veprimtarisë së tij, me synimin për të theksuar gjithmonë interesin e përgjithshëm dhe për t’u përfshirë në sfida konkrete politike dhe për t’i çuar gjërat përpara.

Juristi Lirim Begzati, përpos si ekspert i së drejtës zvicerane njihet edhe si autor librash e artikujsh profesional përtej fushës së drejtësisë, duke veçuar trajtimet e opinionet në ndërlidhje me politikat aktuale edhe të migracionit si dhe shkrimet nga zhvillimet aktuale shoqërore e politike në Zvicër e vendet tona amë. Për tu veçuar është edhe aktiviteti ligjërues i Lirim Begzatit të temave juridike dhe aftësia trajtuese e ndërmjetësimi i kuptueshëm për ndjekësit e ligjërimeve të tija.

Me këtë rast po veçojmë edhe librin e tij nga fusha e drejtësisë në gjuhën shqipe, Zvicra dhe ligjet e saja: Shembuj konkretë dhe këshilla praktike, botuar më 2018 nga Stämpfli Verlag AG, Bern. Me një përmbajtje prej 220 faqeve dhe i ndarë në 14 kapituj, në përbërjen e tij, ky libër përfshinë disa nga rregullat kryesore dhe aktualitetet e sistemit zviceran të të drejtave dhe detyrimeve. Ky libër përfshinë së paku dy fushëveprime, ku përveç shpalosjes së disa koncepteve teorike, një qasje e veçantë i përkushtohet edhe gërshetimit në mes të rregullave juridike ekzistuese, shembujve konkretë dhe këshillave praktike.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori