Rasti i mbrëmshëm tragjik ku humbën jetë dy banorë të Gostivarit, ka tronditur opinionin publik. Ngushëllime drejt familjarëve të viktimave kanë dërguar drejtues institucionesh dhe partishë politike.
”Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të dy besimtarëve tonë, H. Bekir Hop dhe Turgay Rizvançe nga Gostivari. Në emër të Muftinisë, në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë besimtarëve, shprehim ngushëllimet më të sinqerta, familjes, miqve dhe mbarë besimtarëve islam. E lusim All-llahun Fuqiplotë, që rahmetlinjtë t’i shpërblejë me Xhennet, ndërsa familjarëve t’u japë durim”, thuhet në letër-ngushëllimin nga Muftinia e BFI-Gostivar me Mufti H. Sabahudin ef. Zendeli.
Kryetari në detyrë i komunës së Gostivarit, Valbon Limani ka shprehur ngushëllime ndaj familjes Rizvançe dhe Hopi.
”Mbrëmë një lajm shumë i hidhur na trishtoi të gjithëve. Në një aksident me fatalitet, humbën jetën dy bashkëqytetarë tanë, Beqir Hopi dhe Turgaj Rizvançe. Beqirin, mikun tim dhe Turgajin i kam njohur personalisht si njerez punëtorë, humanë dhe shumë të dashur për shoqërinë dhe qytetin tonë. Qofshi të Parajsës Beqir dhe Turgaj dhe Zoti ju pastë afër! Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë”, shkruan Limani.
“Një lajm tragjik shqetësoi mbrëmë banorët e Gostivarit. Nga një aksident fatal humbën jetë dy bashkëvendasit tonë Bekir Hop dhe Turgaj Rizvançe. Të ndjerët njiheshin në komunitet si esnafë dhe njerëz me vlera të larta njerëzore, andaj edhe vdekja e tyre na pikëlloi të gjithëve. Shpreh ngushëllime më të përzemërta deri te familjet Rizvançe dhe Hopi, ndërsa të ndjerët lus Zotin t’i shpërblen me Xhenet”, ngushëllon Valdet Xhaferi, kryetar i BDI-Gostivar.