Stacioni i ri kundër zjarreve për Vrapçishin dhe Bogovinën do të garantojë sigurinë e popullatës lokale

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot ka vizituar Komunën e Vrapçishtit dhe objektin e sapondërtuar të destinuar për Stacionin Territorial të Zjarrfikësve për komunën Vrapçisht dhe Bogovinë, në kuadër të projektit për “Mbrojtje ndërkufitare nga zjarret – Fireshield ”, financuar nga programi i BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, bartës të të cilit janë dy komunat nga Pollogu, komuna e Cërikut nga Shqipëria dhe OJQ-ja “Caritas jug” nga Shqipërisë.

Ky është një nga disa projekte që janë në fazën përfundimtare dhe në realizimin e të cilit Ministria merr pjesë si partnere dhe në të njëjtën kohë sfera e saj e veprimit është aktuale, duke pasur parasysh zjarret aktive në të gjithë vendin. Kjo ka qenë arsye shtesë që ministri Perinski të bëjë një inspektim gjatë zbatimit të projektit të deritanishëm dhe të shqyrtojë mundësitë për ndihmë të mundshme në trajtimin aktual të zjarreve në mbarë vendin.

“Tani, kur kemi zjarre në disa lokacione në vend, nuk ka dyshim se projekti në thelb do të funksionojë për të mbrojtur rajonin në çdo mënyrë. Në të njëjtën kohë, këto objekte zjarrfikësish tashmë mund t’i vëmë në funksion për shuarjen e zjarreve aty ku ka nevojë për mbështetje logjistike. Në këtë rast do të garantohet siguria e mbi 65.000 banorëve vendas, pronat e tyre, si dhe 8.000 hektarë terren malor dhe brez pyjor në rajonin ndërkufitar. Nuk do të ketë vend për frikë. Fatkeqësisht, në të kaluarën, për shkak të mungesës së objekteve adekuate, u shkatërruan më shumë se 5000 hektarë pyje, dhe nganjëherë rrezikohej siguria e jetës dhe e pronës së popullsisë së 30 vendbanimeve rurale në rajon. Kjo tani do ti takojë të kaluarës”, theksoi ministri Perinski, i cili u shpreh i kënaqur që përveç qëllimit parësor të Stacionit Territorial të Zjarrfikësit për komunat Vrapçisht dhe Bogovinë, projekti është i një rëndësie të madhe edhe për Parkun Kombëtar “Mali Sharr” , i cili kufizohet me dy komunat.

Vlera e gjithë projektit është gati 860 mijë euro. Komuna e Vrapçishtit dhe Bogovinës marrin pjesë me 545.000 euro, Ministria e ndihmon projektin me 81.750 euro, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes Programit të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Është planifikuar që projekti të finalizohet në fund të nëntorit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori