RMV, është rritur numri i personave me kovid!

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari konfirmoi se numri i rasteve pozitive të regjistruara me Covid në vend është rritur dhe bëri me dije se duhet të respektohen rregullat antikovid për ajrosje dhe higjienë. Për pacientët e hospitalizuar tek të cilët do të zbulohet virusi, ai tha se duhet të vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën klinikë, transmeton Portalb.mk.

“Ka një rritje të numrit të personave të regjistruar me Covid në vend, ka pasur edhe një mbledhje të Komisionit për Sëmundjet Infektive dhe kemi konkluzion – duhet t’u përmbahemi rregullave – ambiente të hapura, të mos ketë shumë njerëz në të njëjtin vend, të respektohet higjiena. Megjithatë, pacientët të cilët trajtohen në klinika për një sëmundje të caktuar, dhe ndërkohë infektohen me Covid, rekomandimet janë që të vazhdojnë trajtimin në të njëjtën klinikë, infektologia konsullore të japë rekomandim për terapi shtesë nëse është e nevojshme. Shumica e pacientëve me sa duket e kalojnë atë në mënyrë asimptomatike ose me simptoma shumë të lehta”, tha ministri Taravari në një konferencë për shtyp ku u hodhën në treg nëntë barna të reja gjenerike që do të vendosen në Listën Pozitive.

Ai bëri të ditur se në seancën e djeshme të Qeverisë është diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’u mundësojë mjekëve nga shëndetësia private të kthehen në shëndetësi publike, duke qenë se ka interes. Siç tha ai, do t’u referohet ekspertëve me mbi 10 vjet përvojë pune, specialistëve dhe subspecialistëve, të cilët do të punësohen në spitale ku ka mungesë të stafit.

“Jam shumë i sigurt se do të gjejmë zgjidhje që një numër i caktuar të kthehen sepse kjo na bën krenarë. Shohim që tashmë ka interesim nga mjekët që punojnë në shëndetësi private për t’u rikthyer në shëndetësi publike, gjë që tregon se besimi në institucionet publike shëndetësore po kthehet”, tha Taravari duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Lidhur me vendimin e Qeverisë për themelimin e komisionit për ndërtimin e garazheve shtesë në Qendrën Klinike në Shkup, disa prej të cilave do të jenë shumëkatëshe, ministri tha se komisioni do ta zbatojë thirrjen publike për garazhet që do të ndërtohen përmes një partneriteti publiko-privat.

Ai pret që thirrja të shpallet sa më shpejt nga Ministria e Shëndetësisë dhe për të gjitha detajet dhe kërkesat që do të duhet të plotësojnë kompanitë e interesuara do të ketë një konferencë të posaçme për shtyp. Ministri inkurajoi të gjitha kompanitë e interesuara që të konkurrojnë sapo të publikohet thirrja.

Në lidhje me tenderin aktual për stacionin e kompresorit për sallonet operative në Qendrën Klinike, ai nuk ka informacion se sa kompani kanë aplikuar deri më tani dhe tha se do të dihet pas përfundimit të tenderit, më 12 shtator.

Komisioni për Sëmundjet Infektive në mbledhjen e fundit konstatoi se ka pasur rritje të rasteve pozitive me Covid-19 në krahasim me javën e kaluar, dhe me këtë rast i rikujton qytetarët që të respektojnë masat e përgjithshme për parandalimin e infeksioneve respiratore.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori