Nëntë ilaçe, duke përfshirë ata për presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, depresionin dhe demencën, bëhen pjesë e listës pozitive.
Siç informon sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, bëhet fjalë për nëntë xhenerikë të përfaqësuar nga 87 barna.
“Bëhet fjalë për 87 barna në forma, forca dhe paketa të ndryshme që kanë regjistrim aktiv në vendin tonë, nëntë xhenerikë të përfaqësuar nga 87 barna. Këtu përfshihen barnat për tensionin e lartë, sëmundjet e zemrës, antiagregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën”, theksoi Taravari.
Ministri theksoi se në këtë proces janë punësuar ekspertë të cilët kanë punuar për disa ndryshime ligjore, hartimin e një rregulloreje të re me praktika evropiane dhe një metodologji të re për vendosjen e barnave në listën pozitive.
“Ky është vetëm fillimi i procesit të zgjerimit të listës pozitive”, thekson Taravari.
Njëkohësisht, ai u bëri thirrje të gjitha kompanive farmaceutike që të vazhdojnë me aplikimet e tyre për vendosjen e barnave të reja në listën pozitive.