Rolls-Royce me 194 km/h në autostradën Gostivar–Tetovë, arrestohet 44-vjeçari

Një shofer 44-vjeçar nga Gostivari është privuar nga liria pasi është kapur duke drejtuar një automjet „Rolls-Royce“ me 194 kilometra në orë në autostradën Gostivar–Tetovë, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, automjeti me targa të Tetovës është regjistruar nga nëpunësit policorë të Njësisë Mobile për Sigurinë e Trafikut Rrugor, në kuadër të Sektorit për Çështje të Trafikut, duke përdorur një automjet të posaçëm policor për evidentimin e shkeljeve.

Shoferi B.M. (44) nga Gostivari është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, e parashikuar në nenin 297-a të Kodit Penal.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet përkatëse, ndërsa ndaj shoferit do të iniciohet procedurë në përputhje me ligjin.

Shpejtësia e regjistruar prej 194 km/h është 114 km/h mbi kufirin e lejuar në segmentin rrugor ku është konstatuar shkelja. /GS/