Policia nis fushatën kundër drogës, alkoolit dhe duhanit në shkollat e mesme

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë ka nisur zbatimin e projektit parandalues „Parandalimi i keqpërdorimit të drogës, alkoolit dhe cigareve“, i cili u dedikohet nxënësve të vitit të parë në shkollat e mesme të rajonit të Tetovës dhe Gostivarit.

Aktivitetet e para kanë filluar dje në Shkollën e Mesme Komunale të Gjimnazit dhe Mjekësisë në fshatin Negotinë, në Komunën e Vrapçishtit.

Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e dëmshme të substancave psikoaktive, të promovojë zakone të shëndetshme jetese dhe të zvogëlojë rrezikun që të miturit të bien në kontakt me drogën, alkoolin dhe duhanin.

Në kuadër të kësaj nisme janë paraparë takime pune me përgjegjësit për arsimin në të gjitha vetëqeverisjet lokale, si dhe ligjërata informuese për nxënësit e vitit të parë të shkollave të mesme.

Sipas qëllimeve të projektit, përmes aktiviteteve parandaluese synohet gjithashtu të rritet siguria e përgjithshme dhe të ulet kriminaliteti, si dhe numri i shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike.

Nisma synon të informojë dhe vetëdijesojë të rinjtë për rreziqet që paraqesin substancat e dëmshme, duke e vendosur theksin te parandalimi dhe promovimi i një stili të shëndetshëm jetese. /GS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *