Valbon Limani e falënderon për kontributin në edukimin e shumë gjeneratave, ndërsa Saliu thotë se largohet me krenari nga profesioni pedagogjik.
Pas gati 37 vitesh përkushtim në arsim, profesori Besir Saliu ka përmbyllur karrierën e tij profesionale në Shkollën e Mesme Teknike Komunale „Gostivari“, ku detyrën e fundit e ushtroi si drejtor i institucionit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka shprehur mirënjohje për kontributin e profesorit Saliu në arsim dhe në edukimin e shumë gjeneratave ndër vite.
„Mirënjohje dhe falënderim për profesor Besir Saliun për kontributin e çmuar në arsim dhe për edukimin e shumë gjeneratave ndër vite“, ka shkruar Limani.
Ai ka theksuar se profesori Saliu e përmbyll karrierën pedagogjike pas shumë vitesh përkushtimi, duke i uruar shëndet, lumturi dhe shumë vite të bukura në pension.
Ndërkaq, vetë Besir Saliu, përmes një mesazhi publik, ka shprehur kënaqësinë dhe krenarinë për rrugëtimin e tij profesional, gjatë të cilit ka shërbyer si pedagog, ndihmësdrejtor dhe drejtor i shkollës.
„Sot jam më i plotësuar se kurrë! Sot përfundova karrierën profesionale si pedagog, ndihmësdrejtor dhe drejtor pranë Shkollës së Mesme Teknike Komunale të Gostivarit. Punuam së bashku me plot përkushtim, gati 37 vite në këtë mision të shenjtë!“, ka shkruar Saliu.
Ai e ka cilësuar si nder të veçantë kontributin e tij profesional dhe menaxhues në këtë institucion arsimor, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe mbështetur gjatë karrierës, veçanërisht në periudhat më të vështira.
Saliu ka shprehur mirënjohje edhe për të punësuarit e shkollës dhe institucionet me të cilat ka bashkëpunuar, duke e vlerësuar bashkëpunimin si transparent dhe të sinqertë.
„Unë sot largohem me plot krenari! Jam krenar për të gjitha të arriturat së bashku! Arsimi është mision i shenjtë, ndaj duhet respektuar! Faleminderit për gjithçka“, përfundon mesazhin e tij profesori Besir Saliu.
Përmbyllja e karrierës së tij shënon fundin e një rrugëtimi të gjatë në shërbim të arsimit dhe të gjeneratave të shumta të nxënësve në Gostivar. /GS/


