NP Komunalec sërish me apel për qytetarët: Mos parkoni para kontejnerëve të mbeturinave!

Ndërmarrja Publike „Komunalec” u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe të mos parkojnë automjetet para kontejnerëve të mbeturinave, pasi kjo pengon zbrazjen e tyre dhe vështirëson punën e ekipeve komunale.

Nga ndërmarrja theksojnë se raste të tilla përsëriten, duke penguar grumbullimin e rregullt dhe në kohë të mbeturinave.

„Kontejneri i mbeturinave nuk është dekor! Parkimi para tij pengon zbrazjen e rregullt dhe në kohë të tij”, thuhet në apelin e Komunalecit.

Përmes këtij njoftimi, qytetarëve u kërkohet të respektojnë hapësirat publike dhe të mos pengojnë shërbimet komunale, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen e pastërtisë dhe higjienës në qytet.

„Respektoni qytetin tuaj! Mos lejoni që papërgjegjësia juaj të bëhet problem për të gjithë!”, apelon Ndërmarrja Publike „Komunalec”. Gostivari Sot