“Një hapësirë – shumë botë”, doracaku që synon një Gostivar më gjithëpërfshirës

Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në jetën e përditshme të komunitetit ishte në fokus të promovimit të doracakut “Një hapësirë – shumë botë”, i cili u prezantua në ambientet e Komunës së Gostivarit.

Doracaku është hartuar në kuadër të projektit CORDIAL, të realizuar nga Shoqata për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta “Lastovica” – Dega Gostivar, me synimin për të kontribuar në avancimin e gjithëpërfshirjes dhe krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrje në bashkësinë lokale.

Gjatë takimit, kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, iu dorëzua një kopje e doracakut, si dhe një mirënjohje për mbështetjen e dhënë gjatë realizimit të aktiviteteve të projektit. Mirënjohja ishte shenjë falënderimi për hapësirën e ofruar, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të njohur nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

Koordinatorja e projektit, Ema Nedelkovska, dhe asistentja Kristina Krushoracki, prezantuan rëndësinë e nismës dhe kontributin që ajo synon të japë në ndërtimin e një mjedisi ku personat me aftësi të kufizuara të kenë më shumë mundësi për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore.

Përtej promovimit të një botimi, iniciativa rikthen në vëmendje rëndësinë e krijimit të hapësirave dhe mundësive ku secili individ mund të ndihet i pranuar dhe të marrë pjesë në jetën e komunitetit. Gjithëpërfshirja kërkon jo vetëm njohjen e nevojave të personave me aftësi të kufizuara, por edhe bashkëpunim të vazhdueshëm për t’i kthyer ato në mundësi konkrete. Gostivari Sot