Me 188 km/h në autostradë, policia arreston motoçiklistin 27-vjeçar nga Gostivari

Një motoçiklist nga Gostivari është privuar nga liria pasi është kapur duke lëvizur me 188 kilometra në orë në autostradën Gostivar–Tetovë, në një segment ku kufizimi i shpejtësisë është 80 km/h.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është regjistruar dje, në orën 16:20, kur nëpunësit policorë të Njësitit mobil për sigurinë e komunikacionit rrugor, me ndihmën e automjetit special policor për ndjekje, kanë konstatuar shkeljen nga një motoçikletë e markës „Yamaha“, me targa të Gostivarit.

Drejtuesi V.B. (27), nga Gostivari, është privuar nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Policia njofton se janë ndërmarrë masat përkatëse dhe ndaj tij do të vijojë procedurë në përputhje me ligjin.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjithë vendin, përmes automjeteve speciale policore për ndjekje, me qëllim identifikimin dhe sanksionimin e drejtuesve që shkelin rregullat.

Sipas policisë, shpejtësia e tejkaluar mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda për pronën, shëndetin dhe jetën e njerëzve.

MPB-ja u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat rrugore, në interes të sigurisë së tyre dhe të të gjithë qytetarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *