Katër persona kapen duke kërkuar ar në mënyrë të paligjshme në Llakavicë

Katër persona të moshës 55 deri në 78 vjeç janë privuar nga liria pasi janë kapur duke kryer gërmime të paligjshme për gjetjen e arit në zonën e fshatit Llakavicë të Gostivarit.

Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur më 23 tetor, në orën 20:20, në vendin e quajtur „Guri i Sokolecit“, ku kanë intervenuar nëpunës policorë të Njësisë Policore Gallatë.

„Nëpunës policorë të Njësisë Policore Gallatë i kanë privuar nga liria N.S. (63) nga fshati Xhepçisht, M.D. (55) nga fshati Çellopek, Z.M. (72) dhe N.K. (78) nga fshati Vrapçisht“, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit, policia u ka gjetur dhe sekuestruar një detektor metalesh, lopata, kazma dhe sende të tjera që dyshohet se janë përdorur për gërmimet.

Katër personat dyshohen për kryerjen e veprës penale sipas nenit 264 të Kodit Penal, që ka të bëjë me „Dëmtimin ose shkatërrimin e të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose i rariteteve natyrore“.

„Të gjithë janë mbajtur në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse“, njofton policia.

Rasti pritet të procedohet pranë institucioneve kompetente. GS