Gostivari shtrenjton mbeturinat për gati 90%, ja sa do të paguajnë qytetarët sipas madhësisë së banesës

Këshilli i Komunës së Gostivarit miratoi njëzëri çmimin e ri të shërbimit për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave. Nga 1,5 denarë, tarifa rritet në 2,8 denarë për metër katror.

Qytetarët e Gostivarit do të përballen me fatura më të larta për shërbimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave komunale. Në seancën e fundit, Këshilli i Komunës së Gostivarit miratoi njëzëri përfundimin me të cilin jepet pëlqimi për vendimin e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” për rritjen e çmimit të këtij shërbimi.

Tarifa e deritanishme prej 1,5 denarësh për metër katror të sipërfaqes së banimit do të rritet në 2,8 denarë, që paraqet shtrenjtim prej rreth 86,7 për qind.

Për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo për buxhetin familjar, mjafton të shihen disa shembuj konkretë. Për një banesë prej 60 metrash katrorë, pagesa për mbeturinat nga 90 do të rritet në 168 denarë në muaj. Për 80 metra katrorë, nga 120 në 224 denarë, ndërsa për një hapësirë banimi prej 100 metrash katrorë, nga 150 në 280 denarë.

Sa do të paguajnë qytetarët me tarifën e re?

SipërfaqjaÇmimi i vjetërÇmimi i ri
60 m²90 den.168 den.
80 m²120 den.224 den.
100 m²150 den.280 den.

Llogaritjet vlejnë vetëm për shërbimin e mbeturinave, jo për faturën e përgjithshme të ujit dhe shërbimeve të tjera.

Arsyetimin para këshilltarëve e prezantoi Jeton Beqiri, ekspert i jashtëm i përfshirë në komisionin që ka përgatitur analizën për mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në Gostivar.

Sipas tij, çmimi aktual është jorealist dhe nuk është ndryshuar që nga viti 2003. Ai theksoi se edhe vetë mënyra e llogaritjes sipas sipërfaqes së objektit ka mangësi, pasi nuk merr parasysh sasinë reale të mbeturinave që prodhojnë subjektet e ndryshme.

Si shembull, Beqiri përmendi një butik dhe një restorant me sipërfaqe prej 100 metrash katrorë, të cilët, megjithëse paguajnë sipas të njëjtës formulë, gjenerojnë sasi krejtësisht të ndryshme mbeturinash.

Ai tha se analiza ka treguar se tarifa në Gostivar është dukshëm më e ulët krahasuar me qytetet e tjera, duke e cilësuar atë 180 për qind më të ulët se në Tetovë dhe 290 për qind më të ulët se në Kumanovë.

Sipas llogaritjeve të paraqitura nga eksperti, shpenzimi i “Komunalecit” për shërbimet komunale për një amvisëri mesatare, për një periudhë prej katër javësh e gjysmë, arrin rreth 610 denarë, duke përfshirë një kontejner prej 120 litrash.

Megjithatë, rritja e tarifës nuk nënkupton shtrenjtim të të gjithë faturës së “Komunalecit”. Ndryshimi prek vetëm pjesën që lidhet me grumbullimin, transportin dhe menaxhimin e mbeturinave, ndërsa tarifat për furnizimin me ujë për momentin mbeten të pandryshuara.

Përveç rritjes së çmimit, komisioni ka propozuar edhe disa masa për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave. Ato përfshijnë ndryshimin e lokacioneve të disa kontejnerëve, vendosjen e kontejnerëve shtesë në lagje të caktuara, largimin e tyre nga vendet ku pengojnë qarkullimin, vendosjen e shportave për mbeturina dhe hapjen e një Qendre për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme.

Për këtë qendër, sipas Beqirit, tashmë është siguruar një lokacion dhe pritet hapja e procedurës së tenderimit.

Ndërkohë, këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Martin Andonovski, e përshëndeti ndryshimin e tarifës, por kërkoi që të ardhurat shtesë të reflektohen edhe në cilësinë e shërbimeve në terren.

“E përshëndes vendimin, pasi për një kohë të gjatë nuk është bërë ndryshim, por presim që me rritjen e çmimit të përmirësohen edhe shërbimet në terren. Shohim kontejnerë të mbushur, mbeturina të papastruara dhe qytetarët reagojnë. Këto mjete nga rritja duhet të investohen në mekanizim të ri dhe punësime në Komunalec”, deklaroi Andonovski.

Çmimi i ri do të fillojë të zbatohet pas përfundimit të procedurave të nevojshme, përfshirë publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare të Komunës së Gostivarit.

Kështu, përveç barrës së re financiare për amvisëritë, në qendër të vëmendjes mbetet edhe pritshmëria e qytetarëve që pagesa më e lartë të shoqërohet me shërbim më cilësor, më shumë kontejnerë, grumbullim të rregullt dhe pastërti më të madhe në qytet. Gostivari Sot