Gostivar, ekspozitë me dokumente dhe fotografi nga periudha osmane

Qendra për Kulturë në Gostivar, në bashkëpunim me Arkivin Shtetëror, do të organizojë ekspozitën „Dokumente dhe fotografi për Maqedoninë në periudhën osmane“, e cila do të jetë e hapur për vizitorët nga 26 deri më 29 tetor 2026.

Ekspozita synon t’i afrojë publikut dëshmi historike përmes dokumenteve arkivore dhe fotografive autentike, që pasqyrojnë jetën, kulturën dhe zhvillimet shoqërore në rajon gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.

„Kjo ekspozitë do të sjellë për publikun dëshmi të rralla, dokumente arkivore dhe fotografi autentike që pasqyrojnë jetën, kulturën dhe zhvillimet shoqërore në rajon gjatë periudhës së Perandorisë Osmane“, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ekspozita do të mbahet në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Gostivar, ndërsa vizitorët mund ta shohin çdo ditë nga ora 08:30 deri në 16:00.

Organizatorët i ftojnë qytetarët, nxënësit, studentët dhe studiuesit e historisë që ta vizitojnë këtë ekspozitë, e cila ofron mundësi për t’u njohur më nga afër me dokumente dhe fotografi me vlerë historike e kulturore.

„Ju mirëpresim!“, thuhet në ftesën e Qendrës për Kulturë – Gostivar dhe Arkivit Shtetëror. /GS/