Në Komunën e Gostivarit është zhvilluar aktiviteti „Dance-Theater“, me qëllim sensibilizimin dhe parandalimin e dhunës në shkolla. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Parë e Fëmijëve „Megjashi“, në bashkëpunim me SHMK „Gostivar“ dhe Gjimnazin „Josip Broz Tito“ të Shkupit.
Sipas njoftimit të Komunës së Gostivarit, aktiviteti u përshëndet edhe nga kryetari i komunës, Valbon Limani.
„Kjo iniciativë synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat e dhunës, të nxisë empatinë, solidaritetin dhe respektin e ndërsjellë, si dhe të promovojë një mjedis më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të rinjtë“, thuhet në njoftimin e komunës.
Përmes artit dhe teatrit, aktiviteti synon të përcjellë mesazhe kundër dhunës dhe të inkurajojë të rinjtë të ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.
Komuna e Gostivarit vlerëson se iniciativa të tilla kontribuojnë në zhvillimin e vetëdijes shoqërore dhe në parandalimin e dukurive negative.
„Mbetemi të përkushtuar për të nxitur iniciativa që promovojnë mirëqenien e të rinjve, barazinë dhe bashkëjetesën në komunitet“, theksohet në njoftimin e Komunës së Gostivarit. GS



