Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve lokale në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit kanë përcjellë mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët.
Muftiu i Gostivarit, Sabaudin Zendeli, në urimin e tij ka vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, kujtimit të sakrificave për liri dhe bashkimit të shqiptarëve, duke e përmbyllur mesazhin me urimin: Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe çdo vatër shqiptare!
Edhe kryetari i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, ka përcjellë një mesazh urimi, duke e cilësuar flamurin kombëtar si simbol të sakrificës, krenarisë, bashkimit dhe identitetit kombëtar.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka theksuar lidhjen e veçantë të Gostivarit me flamurin kombëtar dhe rrugëtimin historik të shqiptarëve drejt lirisë.
Urim për këtë festë kombëtare ka përcjellë edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, duke iu drejtuar shqiptarëve me rastin e Ditës së Flamurit.
Në mesin e urimeve është edhe ai i drejtorit të Qendrës për Kulturë në Gostivar, Ismet Islami, i cili ka theksuar rëndësinë e kësaj date si simbol të krenarisë, bashkimit dhe identitetit kombëtar, duke bërë thirrje për ruajtjen me dinjitet të gjuhës, historisë dhe flamurit kuqezi.
Urim me rastin e 28 Nëntorit ka përcjellë edhe Spitali i Gostivarit. Në emër të drejtorit, Sub.Spec. Dr. Emri Bajrami, si dhe të gjithë të punësuarve, institucioni ka uruar shqiptarët anembanë botës për Ditën e Flamurit, duke përcjellë urimet më të përzemërta për këtë festë të madhe kombëtare.
Mesazhet e përfaqësuesve institucionalë përcjellin urime dhe përshëndetje për 28 Nëntorin, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!

