Medreseja „Isa Beu“ në Gostivar shënon 22 dhe 28 Nëntorin me program kulturor-artistik

Paralelja e Shtrirë e Vajzave e Shkollës së Mesme „Medreseja Isa Beu“ në Gostivar ka shënuar festat kombëtare të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, përmes një programi të pasur kulturor-artistik.

Manifestimi u organizua të enjten, më 26 nëntor 2026, në ambientet e paraleles, me pjesëmarrjen e nxënëseve, profesorëve dhe profesoreshave, përfaqësuesve të Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, si dhe prindërve të nxënëseve.

Me fjalë rasti para të pranishmëve u drejtua Muftiu i Muftinisë së BFI-së në Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, i cili përcolli urimet e tij dhe ato të Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Ai vlerësoi angazhimin e nxënëseve dhe kolektivit arsimor në organizimin e manifestimit, duke përgëzuar përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare.

Ndërkaq, koordinatori i Paraleles së Shtrirë, prof. Afrim ef. Alija, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kultivimit të identitetit kombëtar në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të individit musliman.

Programi kulturor-artistik u pasurua me recitime poezish, ese, piktura dhe punime artistike të përgatitura nga nxënëset. Një pjesë e veçantë iu kushtua edhe vargjeve dhe mendimeve të figurave të njohura fetare, kulturore dhe kombëtare të kohës, ndër të cilët Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hoxhë Rexhep Voka, Hoxhë Hasan Tahsini dhe Mehmet Akif Ersoj.

Manifestimi u përmbyll në një atmosferë festive, ku për të gjithë të pranishmit u shtrua edhe një ëmbëlsirë tradicionale.

Përmes këtij aktiviteti, nxënëset dhe kolektivi i Paraleles së Shtrirë të Vajzave të „Medresesë Isa Beu“ në Gostivar shprehën përkushtimin për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, kultivimin e identitetit dhe përcjelljen e vlerave historike e kulturore te brezat e rinj. Gostivari Sot