Mbi 140 milionë denarë u kthehen qytetarëve, kompanitë e kredive të shpejta detyrohen të rikthejnë paratë

Mbi 26 mijë qytetarë në të gjithë vendin pritet të përfitojnë nga vendimet e Qeverisë, pas konstatimit të parregullsive në kompanitë financiare që ofrojnë kredi të shpejta.

Mbi 140 milionë denarë do të duhet t’u kthehen më shumë se 26 mijë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut nga kompanitë financiare që ofrojnë kredi të shpejta. Kështu ka njoftuar Qeveria, duke bërë të ditur se pas kontrolleve janë konstatuar parregullsi dhe veprime në kundërshtim me ligjin.

Zëdhënësja e Qeverisë, Miteva, bëri të ditur se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar kontrolle në të gjitha 27 shoqëritë financiare të licencuara, ku janë evidentuar shkelje në disa raste.

„E dinim se po hapnim një nga çështjet më të dhimbshme për shumë familje. Kur qytetarët mezi arrijnë të paguajnë faturat dhe këstet, çdo shpenzim shtesë dhe çdo paralajmërim e rrit edhe më shumë presionin mbi ta“, deklaroi Miteva.

Sipas saj, institucionet kanë punuar për katër muaj për të verifikuar mënyrën e funksionimit të kompanive që ofrojnë kredi të shpejta. Ajo theksoi se bëhet fjalë për kontrollin e parë të këtij niveli në këtë sektor.

Vendimet e miratuara obligojnë kompanitë financiare të rikthejnë paratë që qytetarët i kanë paguar në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, detajet për shkeljet konkrete dhe mënyrën e realizimit të kthimit të mjeteve pritet të bëhen publike nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Masa synon të kompensojë mijëra qytetarë për pagesat e paligjshme të konstatuara në sektorin e kredive të shpejta.

Gostivari Sot