Vullnetarët e Organizatës Komunale të Kryqit të Kuq në Gostivar kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e fillimit të fushatës ndërkombëtare „16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore“, duke shprehur mbështetjen e tyre për parandalimin e dhunës dhe promovimin e një shoqërie më të sigurt.
Sipas njoftimit të Kryqit të Kuq – Gostivar, aktiviteti u realizua sot, më 25 nëntor, në qendër të qytetit, në organizim të Qendrës për të Drejtat e Grave „Etika“ – Gostivar, në bashkëpunim me institucionet lokale.
Gjatë aktivitetit u shpërndanë materiale informuese për qytetarët, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore, rëndësinë e parandalimit, kërkimit të ndihmës në kohë dhe bashkëpunimit institucional.
Nga Kryqi i Kuq – Gostivar theksojnë se, përmes pjesëmarrjes dhe mbështetjes së iniciativave të tilla, organizata vazhdon të kontribuojë në promovimin e humanitetit, solidaritetit dhe respektit, si dhe në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Fushata „16 Ditët e Aktivizmit“ shënon fillimin e një periudhe ndërkombëtare të ndërgjegjësimit dhe mobilizimit kundër dhunës me bazë gjinore.
Gostivari Sot

