Kryetari i Komunës, m-r Oner Jakuposki, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e shoqatës “Mak-Goç” nga Manisa e Republikës së Turqisë, me të cilët ka diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e nismave të përbashkëta.
Në takim morën pjesë Jeliz Denis, kryetare e shoqatës, Ersin Akbash, sekretar i përgjithshëm, dhe Yuksel Hoxhaoglu, nënkryetar i shoqatës. I pranishëm ishte edhe Elvir Pajkoski, kryetar i Këshillit të Komunës.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, krijimin e partneriteteve të reja dhe realizimin e aktiviteteve me interes të përbashkët.
Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërlidhjes së institucioneve dhe shoqatave, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, si dhe hapjes së mundësive për bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Sipas njoftimit të Komunës, takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ndërsa të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit dhe konkretizimin e aktiviteteve të ardhshme.
Takime të tilla synojnë forcimin e lidhjeve miqësore dhe ndërtimin e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet palëve.
Gostivari Sot

