Spitali i Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad” në Gostivar ka pranuar një donacion prej 25 krevatësh spitalorë, të cilët do të përdoren për përmirësimin e kushteve të hospitalizimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë institucioni, i cili ka njoftuar se donacioni është realizuar më 17 nëntor 2026, në kuadër të bashkëpunimit me donatorë, kompani dhe organizata humanitare nga vendi dhe jashtë tij.
Drejtori i spitalit, Sub.Spec.Dr. Emri Bajrami, ka shprehur mirënjohje të veçantë për organizatën Volkshilfe nga Austria dhe për z. Christian Schörkhuber, për mbështetjen dhe kontributin në këtë aksion humanitar.
„25 krevatët spitalorë do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të hospitalizimit dhe në ofrimin e një ambienti më të përshtatshëm e më dinjitoz për pacientët tanë”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Institucioni ka falënderuar gjithashtu Elfat Mustafin për organizimin e donacionit, Zumret Ademin dhe diasporën shqiptare nga Linzi për kontributin e tyre, si dhe Menaf Sipahin, Burak Musain dhe Hadis Mustafain për angazhimin në realizimin e këtij aktiviteti humanitar.
Mirënjohje e veçantë i është shprehur edhe personelit teknik të spitalit, të udhëhequr nga Dejan Lavdinov, për angazhimin në pranimin, transportimin dhe sistemimin e pajisjeve në repartet dhe ambulancat ku paraqitet nevoja.
„Çdo donacion, çdo angazhim dhe çdo gjest solidariteti është një ndihmë e drejtpërdrejtë për përmirësimin e kushteve të punës së personelit shëndetësor dhe, mbi të gjitha, për mirëqenien e pacientëve tanë”, theksohet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Gostivar.
Në fund, institucioni ka falënderuar të gjithë kontribuuesit, duke vlerësuar se solidariteti dhe humanizmi janë të rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Gostivari Sot

