Dëmtohen karriget në shëtitoren e Negotinës, reagon Komuna e Vrapçishtit

Karriget e vendosura përgjatë shëtitores pranë lumit Mazraça në Negotinë të Vrapçishtit janë dëmtuar nga persona të panjohur, duke shkaktuar dëme në pronën publike.

Për rastin ka reaguar Komuna e Vrapçishtit, e cila ka shprehur keqardhje për dëmtimin e hapësirës rekreative, duke e cilësuar një veprim të tillë si të papranueshëm.

Nga Komuna theksojnë se dëmtimi i pronës publike cenon hapësirat e përbashkëta, të cilat janë krijuar në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Përmes një apeli publik, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj pasurisë së përbashkët.

“Ajo që është e përbashkët, është përgjegjësi e të gjithëve!”, thuhet në apelin e Komunës së Vrapçishtit.

Gostivari Sot