Në sheshin “Mehmet Deralla” në fshatin Gradec të Vrapçishtit u mbajt një orë letrare kushtuar gjeneralit Mehmet Deralla, një prej figurave të rëndësishme të historisë shqiptare dhe ministrit të parë të Mbrojtjes në Qeverinë e Ismail Qemalit, të formuar në Vlorë më 1912.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova, ndërsa morën pjesë poetë të kësaj shoqate dhe krijues të rinj nga Gradeci, të cilët interpretuan krijimet e tyre poetike në nderim të figurës së gjeneralit.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe poeti Bajramali Selimi, i cili para të pranishmëve lexoi poezinë e tij me titull “Hije gjenerali”.
Përmes vargjeve, Selimi rikthen kujtesën për Mehmet Derallën, duke trajtuar mungesën e një varri të njohur dhe nevojën që figura e tij të mos mbetet vetëm një emër në librat e historisë, por të vazhdojë të jetë simbol krenarie dhe kujtese për shqiptarët.
Ora letrare në Gradec shërbeu si një homazh artistik për gjeneralin Mehmet Deralla, duke bashkuar krijues të brezave të ndryshëm rreth kujtesës historike dhe vlerësimit të figurave që kontribuuan në historinë kombëtare shqiptare. Tv2

