Çegrani drejt sistemit të plotë të kanalizimit, investim prej 20 milionë denarësh

Punimet për ndërtimin e kanalizimit kryesor në fshatin Çegran të Gostivarit po vazhdojnë, ndërsa faza e parë e projektit parasheh ndërtimin e dy segmenteve me gjatësi totale prej 1.5 kilometrash.

Vlera e investimit për këtë fazë është 20 milionë denarë, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e punimeve është fundi i vitit 2027.

Projekti konsiderohet me rëndësi të veçantë për banorët e Çegranit, pasi synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit përmes krijimit të një sistemi funksional të kanalizimit.

Pas përfundimit të dy segmenteve të para, pritet të vazhdohet me realizimin e segmenteve 3 dhe 4, përmes Komunës së Gostivarit, me synimin që i gjithë projekti të përmbyllet dhe fshati të pajiset me sistem të plotë të kanalizimit.

Sipas deklarimit të publikuar nga TV Globi, punimet po zhvillohen në terren të vështirë, ndaj është kërkuar mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i banorëve gjatë realizimit të projektit.

Në deklaratë është shprehur edhe falënderim për kryetarin e Komunës së Gostivarit për angazhimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti. Gostivari Sot / Tv Globi