Komuna e Vrapçishtit ka kërkuar falje publike ndaj qytetarëve të cilëve u janë dërguar vendime për pagesën e Tatimit në Pronë, ndonëse ata nuk kanë pronë të paluajtshme në territorin e kësaj komune.
Sipas njoftimit të komunës, bëhet fjalë për një lëshim administrativ të paqëllimshëm gjatë përgatitjes dhe dërgimit të vendimeve tatimore, si pasojë e të cilit një pjesë e dokumenteve janë dërguar në adresa të pasakta.
„Për shkak të një lëshimi administrativ të paqëllimshëm, të ndodhur gjatë përgatitjes dhe dërgimit të vendimeve tatimore, një pjesë e vendimeve janë dërguar në adresa të pasakta, përkatësisht te qytetarë të cilët nuk kanë pronë në territorin e komunës sonë“, thuhet në njoftimin e Komunës së Vrapçishtit.
Nga komuna shprehin keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkojnë falje nga të gjithë qytetarët e prekur.
„Bëhet fjalë për një lëshim administrativ dhe jo për një detyrim tatimor të bazuar në posedimin e pronës në territorin e komunës“, theksohet më tej në njoftim.
Komuna u siguron qytetarëve se vendimet e dërguara gabimisht nuk burojnë nga ndonjë detyrim tatimor i lidhur me pronësinë e tyre në territorin e Vrapçishtit. Gostivari Sot

