Kompania AMD ka theksuar partneritetin e saj strategjik me Meta-n, duke bërë të ditur se zgjidhjet e saj të tipit “rack-scale” nga seria AMD Helios po përdoren nga Meta, procesorët AMD EPYC mbështesin funksionimin e agjentit të inteligjencës artificiale Muse, ndërsa teknologjitë e AMD-së përkrahin modelet e Meta-s, përfshirë Muse Spark Open dhe Muse Glimmer.
Ky zhvillim është rezultat i bashkëpunimit shumëvjeçar mes dy kompanive në fushën e procesorëve AMD EPYC, njësive grafike AMD Instinct, zgjidhjeve të rrjetit AMD Pensando dhe softuerit AMD ROCm. Këto teknologji mbështesin shërbimet e Meta-s dhe infrastrukturën e saj gjithnjë në zgjerim për inteligjencën artificiale (AI).
“Meta është partner strategjik për AMD-në dhe këtë partneritet e kemi ndërtuar përmes bashkëpunimit të thellë teknik shumëvjeçar – nga procesorët EPYC që fuqizojnë infrastrukturën e Meta-s, deri te njësitë grafike Instinct dhe softueri i hapur që mbështet proceset e saj të inteligjencës artificiale.
Me integrimin e Helios në Meta, po e çojmë këtë partneritet në një nivel të ri në epokën e superinteligjencës. Së bashku po ndërtojmë dhe vendosim infrastrukturë në shkallë gigavatësh, si dhe po formësojmë gjeneratat e ardhshme të komponentëve harduerikë, softuerëve dhe sistemeve, për të mundësuar modelet dhe shërbimet më ambicioze të superinteligjencës së Meta-s”, deklaroi Lisa Su, presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e AMD-së.
Procesorët EPYC mbështesin agjentin Muse
Procesorët AMD EPYC fuqizojnë mjediset e specializuara kompjuterike që qëndrojnë pas agjentit personal të inteligjencës artificiale të Meta-s, Muse.
Meta ka instaluar miliona procesorë EPYC të gjeneratave të ndryshme dhe është një nga klientët kryesorë për gjeneratën e gjashtë të këtyre procesorëve. Dy kompanitë po bashkëpunojnë edhe për gjeneratat e ardhshme, përfshirë atë me emrin e koduar Verano.
Ndërkohë, njësitë grafike AMD Instinct përdoren aktualisht në infrastrukturën operative të Meta-s për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale, si dhe për sistemet e renditjes dhe rekomandimeve.
Meta ishte gjithashtu ndër klientët e parë të përfshirë në përcaktimin e arkitekturës AMD Instinct MI450 dhe planifikon të përdorë një njësi grafike të personalizuar AMD Instinct, të optimizuar për ngarkesat specifike të punës së kompanisë.
Bashkëpunimi përfshin edhe platformat e ardhshme të AMD-së, përfshirë serinë e njësive grafike AMD Instinct MI500 dhe sistemet e gjeneratës së ardhshme për serverë.
Bashkëpunim edhe në zhvillimin e softuerit AI
AMD dhe Meta kanë bashkëpunuar në avancimin e platformës ROCm përmes kornizës PyTorch, me synimin që zhvilluesit të mund t’i përdorin njësitë grafike të AMD-së menjëherë pas instalimit.
AMD ka siguruar gjithashtu mbështetje për modelet Muse Spark Open të Meta-s përmes njësive grafike AMD Instinct, si dhe për modelin Muse Glimmer në kompjuterët me AMD Ryzen AI dhe njësitë grafike AMD Radeon.
Dy kompanitë e kanë zgjeruar bashkëpunimin edhe në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë. Në këtë kuadër, ato kanë optimizuar modelet e rekomandimeve për njësitë grafike AMD Instinct MI350X, si dhe kanë kontribuar në përmirësimin e PyTorch, Triton dhe ROCm, duke mundësuar përdorimin e këtyre avancimeve edhe nga zhvillues të tjerë.
Me zgjerimin e kapaciteteve të saj në fushën e inteligjencës artificiale, Meta po bashkëpunon me AMD-në në zhvillimin e çipave, softuerëve dhe sistemeve që synojnë t’u përgjigjen kërkesave të infrastrukturës operative të AI-së për miliarda përdorues.
Kompanitë kanë harmonizuar planet e zhvillimit të produkteve dhe vendimet inxhinierike me nevojat aktuale dhe të ardhshme të Meta-s, duke u mbështetur në bashkëpunimin shumëvjeçar për ndërtimin dhe vendosjen e sistemeve të integruara të inteligjencës artificiale në shkallë gigavatësh. Gazeta Flaka

