Levica: Gostivari po përballet me rënie të shtimit natyror, në gjashtë muaj 108 banorë më pak

Levica në Gostivar ka ngritur shqetësimin për të dhënat e shtimit natyror të popullsisë në komunë, duke kërkuar nga pushteti lokal dhe Qeveria masa konkrete për mbështetjen e familjeve të reja.

Sipas të dhënave të publikuara nga partia Levica, gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026, në Komunën e Gostivarit kanë lindur 205 fëmijë, ndërsa janë regjistruar 313 persona të vdekur.

Kjo do të thotë se, për vetëm gjashtë muaj, Gostivari ka shënuar shtim natyror negativ prej 108 banorësh.

Duke iu referuar këtyre statistikave, Levica kërkon nga Komuna e Gostivarit që të bëjë publike planet për mbështetjen e familjeve të reja, si dhe shumën e mjeteve që do të ndahen për këtë qëllim nga buxheti komunal.

Njëkohësisht, partia kërkon nga Qeveria të bëjë të ditura masat që planifikon për mbështetjen e të rinjve dhe familjeve, fondet që do të sigurohen dhe afatin kohor kur këto masa do të bëhen të qasshme për familjet në Gostivar.

Të dhënat, sipas Levicës, janë marrë nga Enti Shtetëror i Statistikave, përkatësisht nga baza e të dhënave MAKSTAT, dhe përfshijnë të gjithë territorin e Komunës së Gostivarit.