Dhuna në familje, plagë e hapur shoqërore: Mbi 1.100 gra viktima në nëntë muaj, dy raste të reja në Gostivar

Kërcënimet me jetë, sulmet fizike dhe konfliktet brenda familjes vazhdojnë të jenë pjesë e një realiteti shqetësues në Maqedoninë e Veriut. Vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2026, MPB-ja ka regjistruar 1.337 vepra penale të ndërlidhura me dhunën në familje dhe 1.433 viktima, prej të cilave 1.144 gra. Edhe Gostivari nuk bën përjashtim nga ky fenomen, ku brenda një dite janë raportuar dy raste të reja të dhunës dhe kërcënimeve në marrëdhëniet bashkëshortore.

Dhuna në familje nuk është thjesht një konflikt mes dy personave dhe as një çështje që duhet të mbetet e mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Ajo përbën një problem serioz shoqëror, me pasoja që prekin jo vetëm viktimat drejtpërdrejt, por edhe fëmijët, familjen dhe mjedisin më të gjerë shoqëror.

Rastet e fundit të raportuara në Gostivar dëshmojnë se ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm edhe në nivel lokal. Më 5 nëntor, policia ka privuar nga liria një 34-vjeçar nga Gostivari, pas denoncimit se ai i kishte bërë kërcënime me jetë bashkëshortes së tij 25-vjeçare. Çifti ndodhet në procedurë shkurorëzimi, ndërsa policia ka paralajmëruar se pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

Po atë ditë, një tjetër grua 38-vjeçare nga Gostivari ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një grindjeje paraprake. Denoncimi është bërë në orët e mbrëmjes në Njësinë e Punëve të Brendshme në Gostivar, ndërsa policia ka njoftuar se po ndërmerr masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Shifrat që dëshmojnë përmasat e fenomenit

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për periudhën janar–shtator 2026 tregojnë se në territorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 1.337 vepra penale të lidhura me dhunën në familje. Për këto raste janë raportuar 1.388 autorë të dyshuar, prej të cilëve 1.278 burra dhe 110 gra.

Në mesin e 1.433 viktimave të evidentuara, 1.144 janë gra dhe 289 burra. Këto të dhëna nxjerrin në pah ekspozimin dukshëm më të madh të grave ndaj këtij lloj dhune.

Përveç veprave penale, gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar edhe 191 kundërvajtje të ndërlidhura me dhunën në familje, me 221 viktima.

Një tregues tjetër i rëndësishëm është numri i ankesave të pranuara nga policia. Në nëntë muajt e parë të vitit janë evidentuar 3.869 ankesa për dhunë në familje, me gjithsej 3.961 viktima, prej të cilave 2.567 gra dhe 1.394 burra.

Këto kategori statistikore paraqesin forma të ndryshme të evidentimit policor dhe nuk duhet të mblidhen si raste të veçanta, pasi mund të përfshijnë të njëjtat ngjarje.

Driton Zenku: Dhuna nuk duhet të normalizohet apo të relativizohet

Duke komentuar këtë fenomen nga këndvështrimi sociologjik, sociologu Driton Zenku vlerëson se dhuna në familje mbetet një problem serioz shoqëror, i cili kërkon reagim të vazhdueshëm institucional dhe ndryshim të vetëdijes qytetare.

Dhuna nuk duhet të trajtohet si çështje private, e as të arsyetohet përmes konflikteve bashkëshortore, problemeve ekonomike, xhelozisë apo mosmarrëveshjeve familjare. Asnjë konflikt nuk mund të shërbejë si justifikim për kërcënime, frikësim apo ushtrim të forcës fizike.

Një nga sfidat kryesore mbetet edhe thyerja e heshtjes. Frika nga pasojat, varësia ekonomike, presioni familjar dhe shoqëror, si dhe mungesa e besimit se institucionet mund të ofrojnë mbrojtje, mund t’i pengojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë.

Në këtë drejtim, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet e rendit. Nevojitet bashkëpunim ndërmjet policisë, institucioneve sociale, sistemit shëndetësor, drejtësisë dhe institucioneve arsimore, si dhe një angazhim më i madh i shoqërisë për të mos e toleruar dhe normalizuar dhunën.

Denoncimi është hap drejt mbrojtjes

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës në familje dhe çdo rast ta raportojnë në kohë. Viktimat dhe personat që kanë informacione për raste të tilla mund t’i drejtohen stacionit më të afërt policor ose të telefonojnë në numrat 112 dhe 192.

Dhuna në familje nuk fillon gjithmonë me sulm fizik. Kërcënimet, frikësimi dhe ushtrimi i vazhdueshëm i presionit mund të jenë gjithashtu shenja serioze të një marrëdhënieje të dhunshme.

Prandaj, luftimi i këtij fenomeni kërkon më shumë se reagim pas një incidenti. Kërkon parandalim, edukim, mbrojtje efektive të viktimave dhe përgjegjësi institucionale. Sepse siguria dhe dinjiteti i individit nuk mund të varen nga dyert e mbyllura të një familjeje. Gostivari Sot