Kanë kaluar tri javë që nga zhdukja e Shemo Shabanit, 27-vjeçarit nga Gostivari, por familja dhe autoritetet ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje për fatin e tij. Kërkimet policore vazhdojnë, ndërsa deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë që do të ndihmonte në zbardhjen e rastit.
Më 13 tetor, Shemo Shabani u largua nga shtëpia dhe prej asaj dite nuk është kthyer më. Sot, më 3 nëntor, bëhen saktësisht 21 ditë nga zhdukja e tij, ndërsa emri i 27-vjeçarit figuron edhe në listën zyrtare të personave të kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Gjatë këtyre tri javëve, policia ka ndërmarrë disa veprime operative për të zbardhur rrethanat e zhdukjes. Janë marrë në pyetje persona që kishin pasur kontakte me të para zhdukjes, ndërsa kërkimet janë përqendruar edhe përgjatë rrjedhës së lumit Vardar.
Me kërkesë të autoriteteve, ishte kërkuar edhe ulja e nivelit të ujit të lumit për të lehtësuar kontrollin e terrenit. Megjithatë, kontrollet përgjatë segmentit që mbulohet nga NJPB Gostivar nuk kanë dhënë rezultat.
„Është kryer kontroll përgjatë gjithë rrjedhës së lumit, në pjesën nga vendi ku është zhdukur dhe përgjatë gjithë segmentit që mbulohet nga OVR Gostivar, por deri më tani nuk janë gjetur gjurmë“, bëjnë të ditur nga SPB Tetovë.
Policia konfirmon se aktivitetet për gjetjen e tij vazhdojnë dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që mund të kenë informacione për vendndodhjen ose kontaktet e fundit të Shabanit.
„NJPB Gostivar vazhdon me masat dhe aktivitetet zyrtare për gjetjen e tij dhe kërkimet nuk do të ndërpriten“, thuhet në njoftimin policor.
Pas 21 ditësh, zhdukja e Shemo Shabanit mbetet pa përgjigje. Çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij mund të raportohet në stacionin më të afërt policor.
Tri javë pritje, tri javë pasigurie dhe ende asnjë gjurmë për 27-vjeçarin nga Gostivari. Gostivari Sot

