Gostivar, hapet thirrjen për kopshte falas për fëmijët e prindërve vetushqyes

Shoqata Humanitare e Qytetarëve „Dr. Trajçe Neshkovski“ nga Gostivari ka hapur thirrjen publike për vazhdimin e projektit „Kopsht falas për fëmijët e prindërve vetushqyes“, përmes të cilit do të mbulohen financiarisht shpenzimet e qëndrimit të fëmijëve në kopshtet publike të qytetit.

Nisma synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve që përballen me vështirësi sociale dhe materiale, duke u mundësuar fëmijëve qasje më të barabartë në edukimin parashkollor.

Të drejtë aplikimi kanë prindërit që jetojnë në territorin e Komunës së Gostivarit dhe fëmijët e tyre janë të regjistruar dhe ndjekin rregullisht kopshtin publik „Detska Radost“. Përfitues mund të jenë prindërit e papunë ose ata që marrin pagë mujore neto më të ulët se paga mesatare në vend.

Thirrja u dedikohet dy kategorive të familjeve: fëmijëve të cilëve u ka vdekur njëri prind dhe fëmijëve të prindërve të divorcuar.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim

Prindërit e interesuar duhet të dorëzojnë kopjen e letërnjoftimit, dëshminë për pagën neto të tre muajve të fundit, nëse janë të punësuar, ose vërtetimin nga Agjencia e Punësimit, në rast se janë të papunë dhe të evidentuar pranë këtij institucioni.

Gjithashtu kërkohet certifikata e lindjes së fëmijës, ndërsa varësisht nga rasti, edhe certifikata e vdekjes së njërit prind ose vendimi gjyqësor i plotfuqishëm për shkurorëzim.

Dokumentacioni mund të dorëzohet në tri mënyra:

  • Përmes postës elektronike: humanitarno_dr.trajceneshkovski@yahoo.com
  • Përmes mesazhit privat në faqen zyrtare të shoqatës në Facebook.
  • Në zarf të mbyllur, me shënimin „Aplikim për thirrjen publike – Kopsht falas“, në adresën: rr. „Nikola Parapunov“ nr. 207-3, Gostivar.

Përzgjedhjen e përfituesve do ta bëjë një komision i formuar nga shoqata. Përparësi do të kenë fëmijët nga familjet me gjendje më të rëndë sociale dhe ekonomike, si dhe ato që bëjnë pjesë në kategori të tjera të cenueshme.

Numri i përfituesve do të varet nga fondet në dispozicion, ndërsa mbështetja financiare do të vazhdojë deri në shterimin e mjeteve të dedikuara për këtë projekt.

Realizimi do të bëhet në bashkëpunim me kopshtin publik „Detska Radost“, në bazë të një memorandumi bashkëpunimi. Me familjet e përzgjedhura do të nënshkruhen marrëveshje të veçanta për kushtet dhe mënyrën e shfrytëzimit të ndihmës.

Afati për aplikim

Thirrja publike është hapur më 2 nëntor 2026 dhe do të jetë e vlefshme për 10 ditë pune, përkatësisht deri më 13 nëntor 2026 (e premte).

Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati, si dhe ato me dokumentacion të paplotë, nuk do të shqyrtohen.

Nga shoqata bëjnë të ditur se përmes vazhdimit të këtij projekti synojnë të mbështesin prindërit që përballen me sfida ekonomike dhe të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin dhe edukimin e hershëm të fëmijëve. Gostivari Sot