Ndërmarrja Publike për Parkingjet Publike dhe Gjelbërimin në Gostivar u ka bërë apel shoferëve që të respektojnë mënyrën e përcaktuar të parkimit në rrugët dhe zonat e qytetit, duke theksuar se parkimi në kënd, aty ku është paraparë parkimi paralel, pengon qarkullimin dhe zvogëlon numrin e vendeve të lira.
Nga ndërmarrja theksojnë se në disa zona të qytetit vërehet një numër i madh automjetesh që parkohen në kënd, edhe pse sinjalistika dhe vijëzimet përcaktojnë parkim paralel.
„Ky veprim, megjithëse mund të duket si lehtësi e çastit, sjell pasoja për të gjithë: bllokon dhe ngushton rrugët, duke vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve, çrregullon sistemin e parkimit zonal, zë hapësira shtesë dhe zvogëlon numrin e vendeve të lira për qytetarët e tjerë, si dhe rrit rrezikun e aksidenteve në komunikacion“, thuhet në apelin e ndërmarrjes.
Sipas tyre, respektimi i rregullave të parkimit është i rëndësishëm për të siguruar qarkullim më të lirë dhe më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
„Apelojmë te secili shofer: Respektoni vijëzimet e parkimit! Parkoni vetëm paralel aty ku kjo mënyrë parkimi është e përcaktuar dhe shmangni veprimet që pengojnë qarkullimin“, thuhet më tej në apel.
Ndërmarrja u bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në krijimin e një Gostivari më të rregullt, me më pak tollovi dhe trafik më të sigurt. /Gostivari Sot/

