Komunalec: Analizat laboratorike konfirmojnë se uji në Gostivar është i sigurt për pije

Ndërmarrja Publike „Komunalec“ – Gostivar njofton se rezultatet e analizave laboratorike, të pranuara më 30 tetor 2026, konfirmojnë se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit është i sigurt për konsum.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, raportet zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë, Njësia Rajonale Gostivar, dëshmojnë se mostrat e analizuara përmbushin standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, në përputhje me normat ligjore për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.

Mostrat janë marrë në tri pika të rrjetit shpërndarës: te pompa e benzinës „Makpetrol“ në rrugën JNA, në Gjimnazin e Gostivarit, në lagjen Dutllok, si dhe te çezma publike para Komunës së Gostivarit.

„Për të gjitha mostrat e sipërpërmendura, referuar parametrave të karakteristikave higjieno-teknike, konstatohet përputhshmëri absolute me kriteret e përcaktuara për konsum të sigurt“, thuhet në njoftimin e NP „Komunalec“.

Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht, përmes marrjes së mostrave ditore dhe analizave laboratorike.

Në interes të transparencës, „Komunalec“ ka publikuar edhe rezultatet e analizave laboratorike, të cilat qytetarët mund t’i shqyrtojnë në faqen zyrtare të ndërmarrjes: Shih rezultatet e analizave laboratorike. /Gostivari Sot/