Matje falas të sheqerit në gjak dhe tensionit në Gostivar, në kuadër të Javës Kundër Diabetit

Organizata Komunale e Kryqit të Kuq në Gostivar, në bashkëpunim me SHMKM „Gostivar“, ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues në qendër të qytetit, duke u ofruar qytetarëve mundësi për të kontrolluar falas disa tregues të rëndësishëm të shëndetit.

Aktiviteti u realizua në kuadër të Javës së Luftës Kundër Diabetit, nën moton „Zakone të shëndetshme jetësore në parandalimin e diabetit“, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e parandalimit dhe kujdesit të vazhdueshëm shëndetësor.

Gjatë aksionit, qytetarët patën mundësi të matin falas nivelin e sheqerit në gjak dhe shtypjen e gjakut, ndërsa nga organizatorët morën informacione për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe përvetësimit të një stili të shëndetshëm jetese.

Përmes këtij aktiviteti, Kryqi i Kuq në Gostivar synon të afrojë informimin shëndetësor te qytetarët dhe të nxisë kujdesin më të madh për shëndetin, duke theksuar se parandalimi dhe zbulimi i hershëm mund të luajnë rol të rëndësishëm në menaxhimin e diabetit.

Nisma të tilla sensibilizuese synojnë të përforcojnë kulturën e kontrolleve të rregullta dhe të inkurajojnë qytetarët që të mos e lënë pas dore shëndetin e tyre. Gostivari Sot