Kërkimet për gjetjen e Shemo Shabanit, 27-vjeçarit nga Gostivari, vazhdojnë, por deri më tani nuk është siguruar asnjë gjurmë që do të ndihmonte në zbardhjen e zhdukjes së tij. Kështu bëjnë të ditur nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, duke konfirmuar se aktivitetet për gjetjen e tij nuk do të ndërpriten.
Shabani është larguar nga shtëpia më 13 tetor dhe nuk është kthyer më, ndërsa rasti është raportuar në polici. Që nga momenti i denoncimit, autoritetet kanë ndërmarrë disa veprime për të përcaktuar rrethanat e zhdukjes dhe për të siguruar informacione që mund të çojnë në gjetjen e tij.
Sipas SPB-së Tetovë, fillimisht janë thirrur për bisedë zyrtare persona që kishin pasur kontakt me të pak para zhdukjes. Gjithashtu, është kërkuar ulja e nivelit të ujit të lumit Vardar, me qëllim lehtësimin e kërkimeve.
“Është kryer kontroll përgjatë gjithë rrjedhës së lumit, në pjesën nga vendi ku është zhdukur dhe përgjatë gjithë segmentit që mbulohet nga OVR Gostivar, por deri më tani nuk janë gjetur gjurmë”, bëjnë të ditur nga SPB Tetovë.
Policia thekson se kërkimet dhe masat operative vazhdojnë, ndërsa u bën apel qytetarëve që mund të kenë informacione të rëndësishme për rastin të ndihmojnë në zbardhjen e tij.
“NJPB Gostivar vazhdon me masat dhe aktivitetet zyrtare për gjetjen e tij dhe kërkimet nuk do të ndërpriten. Njëkohësisht, apelojmë te qytetarët që kanë pasur kontakt me të ose posedojnë çfarëdo informacioni, të paraqiten në stacionin më të afërt policor për të ndihmuar në gjetjen e tij”, thuhet në apelin e policisë.
Zhdukja e 27-vjeçarit nga Gostivari, edhe pas disa ditësh kërkimesh, vazhdon të mbetet e pazbardhur. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo informacion, sado i vogël, që mund të ndihmojë në gjetjen e Shëmo Shabanit, ta ndajnë me policinë. Gostivari Sot



