
Ndahet nga jeta Dr. Nimet Havziu, Spitali i Gostivarit me mesazh ngushëllimi
Spitali i Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad” në Gostivar ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kolegut të tyre, Dr. Nimet Havziu, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në mjekësi dhe shërbimin ndaj pacientëve.
„Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kolegut tonë, Dr. Nimet Havziu”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të publikuar nga personeli i spitalit.
Në njoftim theksohet se Dr. Havziu ia kushtoi jetën profesionit të mjekut, duke u shërbyer pacientëve me përkushtim dhe përgjegjësi. Karrierën profesionale e nisi si mjek amë, duke u kujdesur për banorët e Negotinës dhe Malësisë së Pollogut.
„Me përkushtimin dhe përgjegjësinë e tij fitoi respektin dhe besimin e shumë familjeve”, thuhet në mesazhin e Spitalit të Gostivarit.
Pas specializimit në anesteziologji dhe reanimacion, Dr. Havziu vazhdoi punën në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, ku shërbeu për dekada me radhë, deri në pensionim.
„Për dekada me radhë, deri në pensionim, shërbeu me profesionalizëm, përkushtim dhe dinjitet, duke qëndruar pranë pacientëve në momentet më të vështira të jetës së tyre”, thuhet në njoftim.
Spitali vlerëson se largimi i tij përbën një humbje të madhe për familjen, kolegët dhe komunitetin mjekësor, ndërsa kujtimi për punën dhe humanizmin e tij do të mbetet i gjallë.
„Do ta kujtojmë gjithmonë si një mjek të përkushtuar dhe një koleg të respektuar, i cili la gjurmë me punën dhe humanizmin e tij”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Në fund të mesazhit, personeli i Spitalit të Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad” në Gostivar shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit.
„I përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Nimet Havziun!”, përfundon mesazhi i personelit të spitalit.










Lini një Përgjigje