Një grua 59-vjeçare nga Gostivari ka pësuar lëndime të rënda trupore në hapësirat e bodrumit të Qendrës Shëndetësore në Gostivar, pasi një karrocë e ngarkuar me mjete medicinale i ka zënë këmbën.
Rastin e ka denoncuar më 19 tetor, në orën 18:10, në Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar, L.M. (59), e cila ka deklaruar se incidenti ka ndodhur rreth orës 13:00.
Sipas denoncimit, ajo ishte duke pritur ashensorin në bodrum, kur një punonjës i institucionit shëndetësor po lëvizte me një karrocë të ngarkuar me mjete medicinale. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, punonjësi kishte vazhduar lëvizjen, duke ia zënë këmbën me rrotën e karrocës dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Policia ka njoftuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.



