Një fëmijë 11-vjeçar është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga një 16-vjeçar para një shkolle fillore në Gostivar, njofton policia.
Sipas denoncimit të bërë më 16 tetor 2026, në orën 20:25, në Stacionin Policor të Gostivarit, F.T. ka raportuar se djali i saj i mitur ishte sulmuar po atë ditë, rreth orës 11:40, pas përfundimit të mësimit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën „Vëllezërit Bllazheski“, ndërsa sipas denoncimit, 16-vjeçari i ka drejtuar kërcënime fëmijës për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme mes nxënësve, që lidhej me një fëmijë tjetër.
I mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Mjekësore në Gostivar.
Policia njofton se po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /GS/


