2.3 miliardë euro investim nga Inter dhe Milan: “San Siro” i ri hapet në vitin 2031

Interi dhe Milani mund të përshpejtojnë projektin për ndërtimin e stadiumit të ri “San Siro” dhe transformimin e zonës përreth, pas vendimit të Gjykatës Administrative Rajonale (TAR), e cila i shpalli të papranueshme ankimimet kundër projektit. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, investimi i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 2.3 miliardë euro, ndërsa dy klubet presin që stadiumi i ri t’u sjellë rreth 60 milionë euro më shumë të ardhura në vit.

Projekti parashikon ndërtimin e një impianti me kapacitet prej 71.500 vendesh. Shpenzimet e para përfshijnë blerjen e stadiumit aktual “Giuseppe Meazza” dhe zonave përreth, për 175 milionë euro, si dhe rreth 99 milionë euro për projektimin. Ndërtimi i stadiumit të ri, i vlerësuar në 708 milionë euro, pritet të nisë në verën e vitit 2027, me synimin që impianti të përurohet në verën e vitit 2031.

Plani përfshin edhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore, si rindërtimi i tunelit Patroclo me një kosto prej afro 60 milionë eurosh, si dhe 15 milionë euro për administrimin dhe sigurinë e kantierit gjatë punimeve pranë stadiumit ekzistues. Për testimet përfundimtare të impiantit të ri janë parashikuar rreth 6 milionë euro. Pas hapjes së stadiumit të ri, nga viti 2031 pritet të nisë shembja e pjesës më të madhe të “Meazza”-s, një proces që do të kushtojë 115 milionë euro dhe do të zgjasë rreth dy vjet. Sipas projektit, do të ruhen vetëm disa pjesë të sektorëve blu dhe portokalli, ndërsa do të largohen rreth 126 mijë metra kub mbetje ndërtimi.

Faza përfundimtare do të përfshijë rizhvillimin e zonës dhe ndërtimin e hapësirave tregtare, me një investim shtesë prej 371 milionë eurosh. Përfundimi i plotë i projektit synohet deri në vitin 2036, ndërsa afatet lidhen edhe me përgatitjet për Kampionatin Europian të vitit 2032, që do të organizohet nga Italia dhe Turqia. Prezantimi i pamjeve të para zyrtare të projektit, të realizuara nga studiot e arkitekturës Foster + Partners dhe Manica, pritet më 29 tetor.

Financimi do të realizohet përmes një skeme të kombinuar, me kapital të vetë klubeve dhe kredi bankare afatgjata ose obligacione, të cilat do të shlyhen nga të ardhurat e gjeneruara prej stadiumit. Për fazat e para dhe blerjen e pronës, kompania “Stadio San Siro Spa” ka siguruar tashmë një financim prej 354 milionë eurosh nga një grup bankash ndërkombëtare dhe italiane, mes tyre Goldman Sachs, Morgan Stanley, JPMorgan, MUFG Bank, Banco BPM dhe BPER Banca.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *